Suneti është mazllum me të tillë tipa të paditur!

Suneti është mazllum me të tillë tipa të paditur!

Shejkh Muhamed El-Gazali

Kam parë njerëz të tillë, që frekuentojnë tubime, duke përmendur hadithin, se prindërit e të Dërguarit të Allahut (a.s) janë në zjarr! Ndjeva neveri prej gjuhës dhe mungesës së mirësjelljes së tyre.

Më thanë: Sikur ti e kundërshton, këtë që po themi?!

Me ironi u thashë: Ka një hadith tjetër që thotë: “Ne nuk jemi ndëshkues, derisa t’u dërgojmë të dërguar!” – (Kur’ani, El-Isra: 15) Kështu që, zgjidhni njërin prej dy haditheve!

Më i zgjuari prej tyre, pasi u mendua pak, tha: Ky është ajet, jo hadith.

I thashë: E bëra hadith, që ju të keni vëmendjen më tepër, sepse ju, rrallë pak e kuptoni Librin (Kur’anin)!!

Tha: Ka pasur Dërgesa më përpara Shpalljes dhe arabët janë prej popullit të Ibrahimit, e ata kanë adhuruar me fenë e tij.

I thashë: Arabët as nuk janë prej popullit të Nuhit, e as prej popullit të Ibrahimit. Allahu i Madhëruar ka thënë për ata, të cilët dërgoi për ta Zotërinë e të Dërguarve: “Dhe, nuk u kemi dhënë atyre ndonjë libër, që ta studiojnë dhe as nuk kemi dërguar për ta, përpara teje, ndonjë lajmëtar!” – (Kur’ani, Sebe: 44)

Dhe i ka thanë Vulës së Pejgamberëve të Tij: “Dhe, nuk ishe pranë Turit kur thirrëm (Musain), por mëshirë prej Zotit tënd, për t’ia tërhequr vëmendjen një populli, që nuk u ka ardhur ndonjë lajmëtar përpara teje, ndoshta ata përkujtojnë!” – (Kur’ani, El-Kasas: 46)

Të gjitha Dërgesat e mëparshmen kanë qenë lokale, të përkohshme dhe Ibrahimi, Musai dhe Isai kanë qenë për popujt e tyre në mënyrë të veçantë.

Fukahatë kanë mendimet e tyre, se për prindërit e të Dërguarit janë në zjarr, duke u përgjigjur asaj, që ju transmetoni.

E keni lënduar ndërgjegjen islame, derisa e keni bërë të pushojë. Transmetohet, se Allahu i ka ringjallë dy prindërit e nderuar dhe ata i kanë besuar birit të tyre. Ky është një transmetim, që i mungon senedi (vargu i transmetuesve), ashtu siç transmetimit tuaj i mungon të kuptuarit!

Nuk e di, se sa të përvëluar jeni për t’i ndëshkuar dy prindërit e nderuar të krijesës më të mirë?! Dhe, përse turreni me këtë natyrë të egër për t’u bërë keq njerëzve..?

Transmetimet, në dukje (në pamje të parë) janë kontradiktore, e këtu hynë dijetarët e fikhut dhe të transmetimeve, për t’i koordinuar dhe vlerësuar. Ndoshta senedi (vargu i transmetimit) është i saktë, por ‘meteni’ (përmbajtja) nuk është e saktë; ndoshta të dyja janë të sakta dhe ndryshimi ndodh në domethënien e tij, që është pasur për qëllim.

Ky është një kapitull shumë i gjerë dhe prej tij ka lindur ajo, që quhet Shkolla e Transmetimit (Hadithi) dhe Shkolla e Mendimit. Të parët kanë qenë më afër të kuptuarit të dukshëm (sipërfaqësor), edhe pse e kanë kundërshtuar shumë. Dhe, të pasmit janë më largpamës dhe më të kuptuar në urtësinë dhe qëllimin, e të dy palët janë në hajr, inshallah.

Kur transmetimi i saktë kundërshton një tjetër më të saktë, quhet ‘shall-ll’ (anomali) dhe refuzohet. Dhe, kur (transmetimi) i dobët kundërshton të saktin, quhet ‘metruk’ (i lënë) ose ‘munker’ (i refuzuar).

Kam parë njerëz, që ndërtojnë shumë prej rrugëtimeve mbi bazën e këtyre ‘metrukatë-ve’ (transmetimeve të lëna) dhe të refuzuara në emër të sunetit, ndërkohë që suneti është mazllum (i kanë bërë padrejtësi dhe i kanë hyrë në hak) me të tillë tipa të paditur!

(Nga libri: Humumu daije)

______________________

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:

Lavdrim Hamja

Be the first to comment on "Suneti është mazllum me të tillë tipa të paditur!"

Leave a comment

Your email address will not be published.


*