“Juve ju erdhi i dërguari nga mesi juaj. Atij i vjen keq për vuajtjet tuaja dhe ndjen dhembshuri për ju. E ai për besimtarët është i butë dhe i mëshirshëm”. (Teube: 128)
Ky është Pejgamberi (a.s), i cili na donte aq shumë, saqë asnjëherë nuk e largonte mendjen nga ymeti i tij. Ky është i Dërguari i Allahut, i cili një ditë po lexonte në Kur’an fjalët e Ibrahimit (a.s) dhe të Isait (a.s) dhe tha: O Zoti im, si do të jetë halli i ymetit tim!
Po lexonte fjalën e Allahut (xh.sh) të Ibrahimit (a.s): “O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; e ai që më kundërshton mua, – Ti, pra, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirues. – (Ibrahim: 36)
Dhe lexoi fjalën e Allahut (xh.sh) të Isait (a.s): “Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i falë ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. – (Maide: 118)
Pejgamberi (a.s) qau dhe Allahu (xh.sh) dërgoi Xhebrailin (a.s) dhe i tha: Pyete Muhammedin, përse po qan? Megjithëse Allahu e di më mirë – Zbriti Xhebraili dhe i tha: Çfarë të bën të qash o i Dërguar i Allahut? Tha: Ymeti im, ymeti im, o Xhebrail. U ngjit Xhebraili tek Allahu (xh.sh) dhe i tha: Qan për ymetin e tij, megjithëse Allahu e di më mirë. Allahu (xh.sh) i tha Xhebrailit: Shko te Muhammedi dhe thuaj se Ne do ta bëjmë të jetë i kënaqur për ymetin e tij.” (Muslim)