
Kudo që ulej Pejgamberi (a.s), së bashku me të uleshin edhe disa shokë të tij. Mes tyre ishte një burrë, që kishte një djalë të vogël, që i vinte pas shpine dhe ai e merrte dhe e ulte në prehrin e tij. I vdiq djali këtij burri dhe ai nuk vinte më të ulej në atë ndenje, sepse i kujtohej djali dhe mërzitej për të.
Pejgamberi (a.s) pyeti për të duke thënë: “Çfarë kam, që nuk e shoh më filanin”? I thanë: O i Dërguar i Allahut, djali të cilin ia shikoje, i ka vdekur. Pejgamberi (a.s) e takoi dhe e pyeti për djalin e tij. Ai i tregoi se, i kishte vdekur dhe Pejgamberi (a.s) e ngushëlloi për të, pastaj i tha: “O ti filan, cila është më e dashur për ty: Të kënaqesh në jetën tënde, apo të vish nesër në ndonjë derë prej dyerve e xhenetit, e ta gjesh atë duke të paraprirë për ta hapur (derën)”?
Tha: O i Dërguar i Allahut, të më paraprijë në derën e xhenetit e të ma hapë mua atë, është më e dashur për mua.
Pejgamberi (a.s) i tha: “Ajo të takon”!
(transmetuar nga Nesaiu, 7/231)